Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:50 në Fushë-Prezë ku humbën jetën 4 të rinj të moshës 20-25 vjeç. Viktimat janë identifikuar si Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Sipas informacioneve, pranë vendit ku ndodhi ngjarja gjendet pika e betonit dhe betonieria me të cilën u përplas automjeti sapo kishte dalë në rrugë.
Automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë ka qenë në lëvizje teska ka ardhur nga pas dhe e ka goditur betonieren. “Benz-i” ka shpërthyer menjëherë në flakë, duke u marrë jetën 4 të rinjve, që për fat të keq u dogjën brenda makinës. Ndërkohë shoferi i betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe u shoqërua më vonë nga policia.
Aktualisht bëhet me dije se autoritet po hetojnë nëse betoniera ka pasur sinjale “STOP” nga pas. Gjithashtu mësohet se automjeti tip “Benz” ka qenë me impiant benzinë-gaz, që mendohet të jetë edhe shkaku i shpërthimit të zjarrit menjëherë pas përplasjes. Një detaj tjetër që mund të ketë ndikuar në aksident, është edhe fakti se rruga nuk ishte e ndriçuar.
Sipas informacioneve, ka qenë një patrullë policie ajo që ka konstatuar aksidentin duke njoftuar zjarrëfikësen e Fushë-Krujës, e cila e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve dhe më pas është kërkuar dhe ndërhyrja e zjarrfikëses nga Tirana.
Është arrestuar drejtuesi i betonierës e cila u bë shkak për aksidentin tragjik të ndodhur sot në Fushë-Prezë, ku humbën jetën 4 persona.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.