KROACI- E reja shqiptare, Klevisa Ymeri e cila aksidentoi për vdekje vëlla dhe motër, Stjepan dhe Katarina Derek në Koraci është dënuar me 4 vite burg

Aksidenti tragjik ka ndodhur në muajin prill të këtij viti në zonën e Ratacit, ku 29-vjeçarja po drejtonte një makinë tip “Mercedes” me targa sllovake, kur ka parakaluar automjetin para saj në mënyrë të paligjshme, gjë që ka shkaktuar përplasje kokë më kokë me një makinë e cila drejtohej nga Stjepan Derek. Si pasojë e përplasjes së fuqishme kanë humbur jetën në vendngjarje shoferi 21-vjeçar dhe motra e tij 19-vjeçare Katarina.

Në gyqin e sotëm, dëshmitari Jonuz Alija, i cili ishte pasagjer në automjetin e Ymerit, ka dëshmuar gjithashtu sot para togave të zeza, shkruajnë mediat kroate.

“Unë dhe shoku im Armalindo Docano u nisëm nga Milano për në Shqipëri me një Mercedes. Me ne ishte Klevisa dhe gruaja e kushërirës së Armalindos, Diana. Këto të dyja po na ndiqnin pas më “BMW”. Klevisa mori drejtimin e mjetit Mercedez për shkak se shoferi u lodh. Po ecnim pas njëri-tjetrit, unë po flisja me familjen në celular, kur në një moment, në mënyrë refleksive ndjeva se makina kaloi shumë shpejt, dhe atëherë ngrita kokën dhe pashë tym. Kur arrita te makina e parë, dhashë ndihmën e parë, por shpejt kuptova se nuk mund të bëhej asgjë më shumë. Klevisa ka dalë nga makina dhe si pasojë e përplasjes ka rënë pa ndjenja,”-tregoi dëshmitari.

Nga ana tjetër, vetë Ymeri u shpreh gjatë dëshmisë së saj, se bëri shenjë që të parakalonte, por sipas saj gjithçka ndodhi shumë shpejt deri në momentin e përplasjes.

“Ne po ecnim me shpejtësi 60 deri në 70 kilometra në orë dhe kur pashë se një Mercedes kishte parakaluar një automjet përpara meje, bëra shenjë të parakaloja dhe më pas pashë një automjet tjetër që vinte nga drejtim të kundërt me shpejtësi të lartë. U përpoqa të mos parakaloja, por gjithçka ndodhi shpejt dhe pati një përplasje,”-tha ajo, më pas shtoi se nuk mbante më mend asgjë tjetër për shkak të tronditjes që kishte pësuar.

Zëvendësprokurorja e shtetit Katarina Sosha dhe përfaqësuesi i familjes Derek, avokati nga Zagrebi Zvonimir Bodrozic, njëzëri theksuan se e pandehura është fajtore. Avokati i shqiptares, theksoi se eksperti që ka qenë në vendin e ngjarjes, ka nënvizuar se Ymeri kishte tentuar që të mos parakalonte kur kuptoi se një tjetër mjet po i vinte përballë, por e kishte humbur kontrollin e mjetit.