Reperi shqiptar i Kosovës Asdren Gjikolli, ose i njohur ndryshe me emrin e artit si Gjiko ka ditë që akuzohet për abuzim seksual ndaj një vajze të mitur. Sipas mediave kosovare, reperi ka mashtruar të miturën se do ta bënte këngëtare dhe se do ta angazhonte në klipe, mirëpo ai thjesht e ka droguar dhe e ka përdhunuar të miturën.

Reperi është akuzuar se ka përdhunuar një të mitur në korrik të vitit 2015. Pas gjithë akuzave, Gjiko vendosi të thyejë heshtjen dhe të reagojë ndaj akuzave që po përballet. Reperi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, ku edhe i ka quajtur të pavërteta të sajuara.

Mësohet se reperi shqiptar Gjiko do të dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë si i dyshuar për dhunimin e një vajze të mitur. Javë më parë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar se seanca e shqyrtimit fillestar ishte mbajtur më 25 mars 2022, e cila me kërkesë të palës mbrojtëse është shtyrë për 26 prill 2022.

“Ju njoftojmë se lidhur me këtë lëndë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar me datë 25.03.2022, e cila është shtyrë për datë 26.04.2022 me kërkesë të mbrojtësve të të pandehurve me qëllim të pajisjes me shkresa të lëndës”, deklaroi javë më parë për Front Online zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi nuk kishte dhënë detaje të tjera se çfarë është duke ndodhur me këtë çështje, duke pohuar se seancat janë të mbyllura, për shkak se palët e prekur janë persona të mitur.

“Lidhur me rastin e të pandehurve A.GJ etj, ju njoftojmë se në këtë rast seancat janë të mbyllura për publikun, pasi që rasti ka të bëjë me lëndë ku dyshohet se të përfshirë si palë të dëmtuara janë persona të mitur, andaj të gjitha procedurat në raste të tilla janë konfidenciale”, deklaroi Gashi.