Ambasada e Türkiye dhe TIKA në Shqipëri, nënshkruan marrëvehjen e bashkëpunimit me bashkinë Librazhd për investime në spitale, mbështetjen e fermerëve dhe për suportin e fëmijëve me status jetim.
Të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve ishin Ambasadori i Türkiye në Shqipëri, z. Tayyar Kagan Atay, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shqipëri, Z. Mustafa Ata dhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha.
Marrëveshja ka për synim përmirësimin e cilësisë së jetesës së komunitetit të Bashkisë Librazhd nëpërmjet investimeve dhe bashkëpunimeve të ndërsjellta.
Lidhur me këtë marrëveshje kryebashkiaku Disha ka dhënë hollësi në një publikim në statusin e tij në Facebook:
‘Në një takim shumë frytdhënës me Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, z. Tayyar Kagan Atay, dhe koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shqipëri, z. Mustafa Ata.
Gjatë këtij takimi, fokusi i diskutimeve ishte përmirësimi i cilësisë së jetesës së komunitetit të Bashkisë Librazhd nëpërmjet investimeve dhe bashkëpunimeve të ndërsjella me donatorë si Ambasada Turke dhe TIKA. Ndër projektet kryesore që u trajtuan janë:
1. Investimi në pavionin e kirurgjisë në Spitalin e Librazhdit, duke e pajisur atë me aparatura moderne dhe bashkëkohore.
2. Mbështetja për fermerët, duke i ndihmuar në mbjelljen dhe kultivimin e produkteve të ndryshme bujqësore.
3. Suporti për fëmijët me status jetim, përmes projekteve që i ndihmojnë të bëhen të pavarur ekonomikisht dhe të kenë një të ardhme më të sigurt.
Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për miqtë tanë turq për mbështetjen e tyre të çmuar dhe mezi presim vizitën e premtuar në qytetin tonë, që do të forcojë më tej bashkëpunimin tonë të ndërsjellë’. Burimi: Infoweb Media