DVP Elbasan

Goditet nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, një rast i tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë.

Sekuestrohet një autobot, me një sasi gazi të lëngshëm, arrestohet në flagrancë poseduesi.

Goditen dhe 2 raste të krimeve të ndryshme mjedisore, procedohen penalisht 2 shtetas.

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me grupin e antikontrabandës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehje e të ardhurave”, i shtetasit N. V., 56 vjeç, banues në Fier, administrator i një subjekti, pasi dyshohet se shiste pa faturë tatimore, gaz të dyshuar kontrabandë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan u procedua penalisht shtetasi Gj. Ç., 61 vjeç, banues në fshatin Bizhdan, Elbasan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet kamion, 12 metër kub dru, pa vërtetimin transporti dhe pa kupon tatimor. Mjeti dhe sasia e druve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik u procedua penalisht për veprën penale “Ndotja e ajrit”, shtetasi N. P., 61 vjeç, banues në fshatin Gostimë, Cërrik, pasi ka hedhur një masiv mbeturinash në shtratin e lumit Devoll.
——
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi A. L., 41 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit:

M. M., banues në fshatin Bredashesh, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar;

I. M., 44 vjeç, banues në Hotolisht, Librazhd, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.