Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja është arrestuar mbrëmjen e sotme, gjatë një operacioni policor me urdhër të SPAK.
Së bashku me Çyrbjen janë vënë në pranga edhe disa persona të tjerë, në qytetin e Durrësit.
Kujtojmë se Jurgis Çyrbja dha dorëheqjen vetëm pak ditë më parë, pasi u mor i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” gjatë kohës që drejtonte Hipotekën e Durrësit, para zgjedhjes si deputet në vitin 2021.
Çyrbja u thirr më 11 tetor në SPAK nga prokurori Dritan Prençi, ku u morr në pyetje mbi tetë orë, pas kallëzimit të bërë nga Edi Paloka në vitin 2021.
Pasi doli nga SPAK, Çyrbja nuk dha detaje lidhur me seancën e gjatë të marrjes në pyetje.
“Ishim për të dhënë sqarime për një çështje. Mund të drejtoheni në SPAK për informacione. Për kohën kur isha drejtues i hipotekës kisha disa sqarime për të dhënë. Sa herë të dojë institucioni unë jam në dispozicion të vij” , deklaroi ai.
Çyrbja akuzohet për tre vepra penale. Ai është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, thuhet në njoftimin e SPAK.