Itali- Një grua e goditur disa herë me rrip pantallonash dhe shkop bejsbolli nga partneri i saj prej vitesh nuk mundi të duronte më dhe denoncoi në polici.

Në pranga u vu 37-vjeçari shqiptar, me precedentë të shumtë penal, pasi prej kohësh ushtronte dhunë ndaj partneres së tij 33-vjeçare, me shtetësi shqiptare dhe ajo.

Gruaja dhunohej prej kohësh por asnjëherë nuk e kishte denoncuar partnerin e saj, por gjërat ndryshuan të shtunën në mbremje ku kanë qenë fqinjët ata që kanë telefonuar policinë pas ulërimave që vinin nga shtëpia e çiftit.

Sulmi ndodhi natën e së shtunës dhe të dielës në një shtëpi në via Andrea Costa, në Bolonja ku 33-vjeçarja përfundoi në spital pas plagëve të marra nga dhuna.

Burri në fillim nuk ka dashur të fusë policët në shtëpi, por më pas ka hequr dorë duke rënë në prangat e policisë ndërkohë që gruaja u dërgua në spital për kurim.

Sipas asaj që është konstatuar, burri e ka goditur me duar, me rrip dhe shkop bejsbolli, objekte që agjentët i gjetën në shtëpi dhe i konfiskuan.