SHKODËR- Shkodra është tronditur mesditën e sotme nga një vrasje me armë zjarri, brenda në një lokal në lagjen ‘Ahmet Haxhia’. Viktimë ka mbetur Elis Rroshkodol, banues në Shkodër, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal.
36-vjeçari u vra nga një person ende i paidentifikuar, i cili u fut brenda në një lokal dhe e qëlloi me plumba duke e lënë të vdekur në vend.
Policia gjeti në çantën e dorës së Elis Rroshkodolit edhe një armë zjarri pistoletë me fishekë gati për qitje. Policia thotë se është vënë në ndjekje të autorit.
Emri i 36-vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm penal pasi në vitin 2023 ka plagosur me thikë një rumun dhe u arratis drejt Stambollit. Ndërsa në vitin 2014, është arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të tjerë për grabitje në Belgjikë.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër.
Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit.
Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje.
Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit.






