Arrestohet në Fier i shumëkërkuari Nuredin Dumani i akuzuar për disa vrasje në Elbasan dhe Durrës
Dumani mendohet se shkëmbeu zjarr pasdite duke qëlluar nda Talo Çelës në Papër teksa ai po udhëtonte me një mjet tip “BMW”.
Çela mendohet se ka mbetur i plagosur por nuk ka shkuar ende në asnjë spital, ndërsa mendohet se po fshihet në një nga fshatrat e zonës së Cërrikut e Paprit. E gjithë zona po krihet nga forcat e FNSH-ve dhe RENEA-ve, por ende nuk ka asnjë gjurmë të të plagosurit.
Nuredin Dumani u arrestua pasi shkoi në spitalin e Fierit me një plumb afër shtyllës kurrizore.
Bashkë me të u arrestua edhe një person tjetër. Në apartament u gjetën armë, jelek antiplumb, dylbi, snajper.
Nuredin Dumani akuzohet për disa vrasje në Elbasan e Durrës.
Ai akuzohet se më 17 shtatori 2020, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit vrau në lokal duke pirë kafen Bujar Çelën, vëllai i të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare Talo Çelës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për shtetasin Nuredin Dumani, 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, për veprat penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Nuredin Dumani nuk është një emër i padëgjuar, 37-vjeçari dyshohet të jetë përfshirë gjithashtu edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë. Dumani është i akuzuar edhe si autori i vrasjes së vëllezërve Haxhia, Besmirit dhe Viktorit, në maj të 2020 në Durrës.
Për këtë ngjarje është në kërkim dhe Talo Çela, vëllai i Bujar Çelës, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla. Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës. Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.
Gjithashtu mbi Nuredin Dumanin rëndon edhe një vrasje tjetër, sipas dyshimeve të policisë, ai dyshohet të jetë edhe ekzekutor i Klevis Kapllanit në Rrogozhinë.





