Pasditen e sotme, drejt një automjeti tip BMW u qëllua me breshëri arme dhe personat që ndodheshin brenda janë larguar duke braktisur mjetin. Dyshohet se është plagosur Talo Çela, i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia. E bashkë me të, Report Tv mëson ekskluzivisht, se në kërkim është shpallur edhe Nuredin Dumani. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se ditën e vrasjes kanë qenë edhe vetë Talo Çela dhe Nuredin Dumani, dhe e gjitha sipas tij lidhet me disa lekë të humbura.





