TIRANË- Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra qytetarë të besimit mysliman falën mëngjesin e kësaj të shtune Kurban Bajramin në sheshin ‘Skëndërbej’. Falja është kryer në të gjitha sheshet dhe xhamitë ku ka besim islam në Shqipëri.

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Kurban Bajrami është një nga dy festat islame të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, tjetri është Fitër Bajrami. Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij ishte pranuar tashmë.

Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. Ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë. Më shumë se 500 haxhinj nga Shqipëria ndodhen në vendin e shenjtë.