MALI I ZI- Pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviçit. Qeveria është rrëzuar me 50 vota për dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Tani e tutje qeveria e Abazoviçit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi. Para votimit, në fjalën përfundimtare, ai tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje.

Qeveria e Dritan Abazoviç është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe

Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi