Një grabitje me armë ka ndodhur në fshatin Boriç i Vogël në Malësinë e Madhe, mbrëmhen e djeshme.

Mësohet se pak pas mesnate, dy persona të armatosur kanë hyrë në banesën e shtetasit Ndue Ulaj, duke i grabitur grabitur bizhu ari me një vlere rreth 5 mijë euro si dhe 11500 euro që 36-vjeçari ka patur në çantën e punës.

36-vjeçari ka denoncuar se grabitësit i kanë drejtuar armën atij dhe fëmijëve si dhe nënës 80 vjeçare.

Autorët janë prezantuar si policë që do ushtronin kontroll, por më pas kanë rezultuar grabitës. 36-vjeçari thotë se ka njoftuar policinë përmes një telefoni të komshinjve, por sipas tij efektivët kanë ardhur me vonesë pas një ore nga momenti i njoftimit.

Ndue Ulaj tha se paratë i ka tërhequr nga një bankë në Shkodër nga kursimet disa vjeçare nga puna si taksist me idenë për të ndërtuar edhe katin e dytë të banesës. Sipas tij, ato para nuk janë të pista sepse është letra e bankës që vërteton tërheqjen e shumës prej 11500 euro para dy tre ditësh.