Lulzim Basha pati një ditë të ngarkuar këtë të hënë pas “vizitës së paftuar” të Sali Berishës dhe mbështetësve të tij në seli. Vizita e Berishës e la më gjatë nga sa parashikohej në takimin me grupin e punës për organizimin e zgjedhjeve në FRPD dhe pas këtij takimi kreu i PD-së mbajti edhe një konferencë për shtyp.

Në këtë konferencë, Lulzim Basha foli gjatë dhe lëshoi disa deklarata të forta në drejtim të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, që thotë se janë brinjët e atij që e quan “Trekëndëshi i së keqes”, apo “Trekëndëshi i Bermudës”.

Pyetjes nëse do të ishte i gatshëm që të kandidonte përballë Sali Berishës për postin e kryetarit të PD-së, Basha iu përgjigj: “Sali Berisha nuk e ka garën me mua. Sali Berisha e ka garën me dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës, që me aq sa di unë edhe brinjët e tjera të Trekëndëshit të Bermudës shumë shpejt do të jenë non grata. Berisha, Rama e Meta, këta të tre mbajnë njëri-tjetrin, konkurrencën e kanë me njëri-tjetrin. Koha do të jetë ilaçi më i mirë edhe për dy brinjët e tjera. Përveç rrëzimit të këtij trekëndëshi nuk kemi punë me këta”, u shpreh ai.

Më pas, Berishën e akuzoi se ka nxjerrë në pah anën e tij më të errët. “Është rikthyer versioni i 1997-s i Sali Berishës, këtë herë version më i plakur dhe më qesharak”, tha Basha.

Ish-Kryeministrin e fajësoi edhe për 21 janarin 2011, që e cilësoi si i njëjti skenar që realizoi me hyrjen në selinë e PD. “Sali Berisha erdhi me të njëjtin skenar si ai i 21 janarit, veçse unë nuk iu përgjigja ndërsa më 21 janar, Sali Berisha u përgjigj”, u shpreh Basha.

Ndër të tjera, kreu i PD-së paralajmëroi edhe përjashtimin total nga partia të Sali Berishës.

“Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund. Në këtë betejë me SHBA-në, PD theu për herë të parë standardin e vendosur dhe i kërkoj ndjesë shqiptarëve. U mjaftova me pezullimin e Berishës nga partia, e bëra në një moment paqartësie me veten time. Por, sot nuk ka demokrat që nuk është i qartë. Në kulmin e dëshpërimit, Berisha ndërmori një akt që u kujtoi shqiptarëve skena të harruara nga pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale, që fatkeqësisht na faturohet edhe neve. Asnjë demokrat, asnjë anëtar i Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet në 18 dhjetor, nuk do t’i nënshtrohet presioneve”, tha ai.