TIRANË – Bordi i Transparencës ka vendosur sot, më 13 qershor 2026, çmimet tavan të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës, të cilat do të hyjnë në fuqi në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës.

Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin standard SSH EN 590 është përcaktuar në 183 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 171 lekë për litër.

Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 170 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 158 lekë për litër.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut se zbatimi i këtij vendimi është i detyrueshëm, ndërsa në rast shkeljesh do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Bordi sqaron gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, çmimet aktuale janë nën pragjet e përcaktuara ligjore për aktivizimin e skemës së reduktimit të akcizës, ndaj do të vijojë të aplikohet niveli i plotë prej 100% të saj.

Ndërkohë, për gazoilin për peshkim, çmimi është llogaritur në 88 lekë për litër, në përputhje me legjislacionin në fuqi, i cili parashikon përjashtime nga taksat dhe akciza për anijet e peshkimit sipas kushteve të përcaktuara ligjore.

Vendimi i Bordit synon, sipas autoriteteve, të stabilizojë tregun dhe të parandalojë abuzimet me çmimet në sektorin e karburanteve.