Tiranë, 15 maj 2026 – Bordi i Transparencës ka miratuar në mbledhjen e tij të radhës çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë për nënproduktet e naftës, të cilat hyjnë në fuqi sot në orën 13:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në vendimin e radhës.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 198 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur jo më shumë se 185 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë për litër.
Autoritetet theksojnë se vendimi është i detyrueshëm për të gjithë operatorët e tregut të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet masa e pezullimit të aktivitetit.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuara për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Sipas sqarimit zyrtar, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, çmimet aktuale të vendosura nga Bordi mbeten nën kufijtë e përcaktuar ligjorë, duke bërë që niveli i akcizës të vazhdojë të zbatohet në masën 100%.





