Bordi i Transparencës ka përcaktuar tarifat e reja tavan të tregtimit të karburanteve në vend, pas mbledhjes së zhvilluar këtë të mërkurë, më 27 maj 2026. Sipas vendimit të fundit, çmimet e shitjes me pakicë dhe shumicë kanë pësuar ndryshime, të cilat do të bëhen efektive duke filluar nga ora 13:30 e ditës së sotme dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet maksimale të cilat nuk duhet të tejkalohen nga operatorët në treg janë si më poshtë:

Nafta (Gazoil SSH EN 590): Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa për shitjen me shumicë kufiri maksimal vendoset në 178 lekë/litër.

Benzina (SSH EN): Çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 179 lekë/litri, ndërsa për shitjen me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.

Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës se zbatimi i këtyre çmimeve tavan është i detyrueshëm. Në rast se do të konstatohen shkelje nga subjektet e tregtimit, do të aplikohet masa administrative e pezullimit të menjëhershëm të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave si dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë konfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për të monitoruar tregun në vijimësi, me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme.

Sqarim mbi aplikimin e akcizës:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026 (i cili parashikon uljen e akcizës në nivelin 80% nëse çmimi i naftës kalon 220 lekë/litri ose benzina kalon 200 lekë/litri), Bordi sqaron se çmimet aktuale të llogaritura janë nën këto kufij kritikë. Për rrjedhojë, niveli i akcizës mbi karburantet do të vijojë të zbatohet i plotë, në masën 100%.