Spektakli i së shtunës mbrëma kishte shumë surpriza të papritura për publikun por edhe për banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP”.
Fillimisht të gjithë u habitën me vendimin e Olta Gixharit për të lënë lojën e saj në mes dhe të largohej përfundimisht nga shtëpia e BB VIP. Edhe pse banorët u munduan që t’a bënin të ndryshonte mendim, aktorja e njohur ishte mjaft e vendosur që rrugëtimin e saj t’a përfundonte aty.
Shkak ishte malli për të birin e saj, Amar, i cili madje e priste te dhoma e surprizave për ta marrë në shtëpi.
Më pas, surpriza e radhës ishte kur Arbana Osmani hapi një televotim, ku publiku duhej që të votonte për 4 ish-banorë që t’i rikthenin në “Big Brother VIP2”. E më të votuarit ishin Efi Dhedhes, Kiara Tito, Bledi Mane dhe Ronaldo Sharka.
Këta 4 ish-banorë kanë disa rregulla ndryshe nga banorët e tjerë. Vetëm njëri prej tyre mund të shkojë në finalen e madhe që do të mbahet më 6 maj, e nëse arrin që të rrëmbejë çmimin e madh atëherë do të marrë vetëm 50 mijë euro, jo 100 mijë euro.
Po si e pritën banorët e BB VIP hyrjen e 4 ish-banorëve? Thuajse të gjithë u habitën nga ky vendim i Vëllait të Madh, pasi sipas tyre, ata kanë informacione nga jashtë, i kanë parë ata se si kanë luajtur dhe kanë studiuar lojën e tyre.





