TIRANË- Sot Shqipëria futet në ditën e katërt të përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut. Moti parashikohet me reshje të dendura shiu që do të zgjasin gjatë gjithë ditës dhe vranësira të vazhdueshme. Pasditja sjell një pauzë nga reshjet, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes shiu do të rinisë me intensitet mesatar. Në lartësinë mbi 700-800 metra parashikohen reshje dëbore me intensitet deri mesatar.
Era do të vijojë të jëtë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 1-8m/s, ndërsa në orët e pasdites e kryesisht të mbrëmjes do të fitoj shpejtësi deri në 15-20m/s. Valëzimi në dete i forcës nga 3-4 ballë. Temperaturat parashikohen: në zona malore 3 deri 11°C , ë zona e ulëta 5 deri 13°C dhe në zona bregdetare 8 deri 14°C.
Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që të bllokohet Rruga e Abrrit. Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se bllokimi i rrugës ka ndodhur në aksin rrugor Xibër-Qafë Murrizë. Sipas policisë, drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass-Qafë Murrizë, duhet të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
“Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në zonat malore të qarkut Dibrër kanë rënë reshje dëbore dhe për këtë shkak, aksi i rrugës së Arbrit, bypass- Qafë Murrizë, është bllokuar dhe subjekti kontraktor për mirëmbajtjen e rrugës po punojnë për pastrimin dhe hapjen e saj. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murrizë, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital”, thuhet në njoftimin e Policisë.





