Ndodh në Greqi! Rreth 30 persona sulmuan, kërcënuan dhe mbyllën për orë të tëra brenda zyrës së tij, Dekanin e Universitetit Teknik të Kretës.

Ngjarja ka ndodhur më 14 tetor ndërsa është publikuar së fundmi nga mediat greke pas zbulimit të dosjes hetimore në prokurori.

E gjitha ngjarja lidhet me një student ndaj të cilit ka nisur edhe një ndjekje penale. Sipas Dekanit më 14 tetor, një grup prej 20-30 personash, e mbajtën të mbyllur për katër orë .

Mësohet se dekanin e Shkollës së Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (EMMY), e kanë kërcënuar duke kërkuar të revokojë e-mailin që i kishte dërguar studentit dhe të nënshkruajë një deklaratë falje.

Gjatë ngujimit, ai ka marrë kërcënime, ofendime, ndërsa thuhet se e gjithë ngjarja është filmuar.

“Dekani mësohet se është ndaluar me forcë për rreth 4 orë, ka marrë fyerje dhe kërcënime, është penguar të kryejë detyrat e tij administrative dhe mësimore gjatë asaj kohe, është ndaluar me forcë për të mos përdorur telefonin dhe është detyruar të nënshkruajë një deklaratë kundër vullnetit të tij”, thuhet në njoftim.

Ministri i Arsimit në Greqi, po ashtu, i ka dërguar një letër Rektorit të Universitetit Teknik të Kretës, duke kërkuar informacione për ngjarjen si dhe veprimet e ndërmarra nga administrata për të trajtuar incidentin në përputhje me legjislacionin aktual.