TIRANË– Del foto e të riut që mashtroi biznesmenen në Tiranë duke i ‘përlarë’ 135 mijë euro.

Ai quhet Qerim Krasniqi, 30-vjeç. Akuzohet se me mirëbesim mashtroi Marjana Çakulin në Tiranë, duke i marrë 135 mijë euro.

Cakuli deklaron se të riun nga Kosova e kishte marrë në banesën e saj, për shkak të infektimit me Covid, ku dhe është kujdesur për të. Në muajin Gusht të vitit të kaluar, Krasniqi i ka kërkuar asaj një borxh prej 50 mijë eurosh, me justifikimin se i kishin bllokuar llogarinë në Zvicër. Më pas Krasniqi i kishte kërkuar shuma të tjera më të vogla, duke e çuar shifrën e borxhit në 135 mijë euro.

Në muajin Dhjetor, i riu ndërpreu çfarëdolloj komunikimi me gruan nga Tirana, e cila dhe më pas ka bërë denoncimin. Gjatë ndalimit 3 ditë më parë në kufi, Krasniqi është shprehur se paratë që ka marrë nga Mariana i ka investuar në bursë, FOREX, përmes një shtetasi nga Maqedonia e Veriut. Sipas tij, paratë që kishte marrë nga Mariana Cakuli, ia kishte dhënë këtij personi, i cili po ashtu ishte zhdukur.