Rreth orës 21:15 të mbrëmjes së djeshme, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë, ku është ekzekutuar 30–vjeçari Egzon Haziri.

Haziri u nis me urgjencë për në spital, mirëpo i njëjti s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

Në anën tjetër, dy të plagosurit po ashtu janë dërguar në Emergjencë dhe sipas informacioneve të para, që të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, ka thënë zëdhënësi e Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Ndërkohë që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, përfundon ai.