TIRANË– Një ulje me 30 lekë të vjetra ose 3 lekë të reja për litër, e çmimit të naftës. Bordi i Transparencës i mbledhur ditën e sotme vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet që sot në orën 18.00 të pasdites, e do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme.

NJOFTIMI I PLOTË:

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 23 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi: Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: • 220 Lekë/litri për gazoilin; • 200 Lekë/litri për benzinën; • 92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: • 232 Lekë/litri për gazoilin; • 212 Lekë/litri për benzinën; • 104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën). Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 23.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.