Në janar të vitit 2020, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz dhe më pas u torturua dhe u vra përshkak të një prishje pazari mes bandës së vëllait të tij me një bandë tjetër.

49-vjeçari u rrëmbye mesditën e 17 janarit të vitit 2020 në Kamëz. BalkanWeb ka siguruar videon kur Jan Prenga nxirret i pajetë nga një ‘Range Rover’, nga personat që e morën peng.

Pamjet janë nga kamerat e sigurisë brenda garazhit të kompleksit luksoz ‘Golden Resort’, me vendndodhje në fshatin Pjesëz në Shijak. Trupi i 49-vjeçarit Jan Prenga nxirret i zhveshur nga makina e bardhë.

Është ky momenti kur katër persona të maskuar transportojnë trupin e tij në një furgon të bardhë brenda garazhit. Kujtojmë se trupi i tij ende nuk është gjetur.

Kamerat e sigurisë kanë kapur dhe të tjera momente tronditëse në lidhje me pengmarrjen e Jan Prengës, babait të 3 fëmijëve, kur autorët mundohen të fshehin çdo gjurmë që i lidh ata me ngjarjen e rëndë.

Pas tërheqjes së trupit, 4 autorët, tashmë të shkujdesur plotësisht, pasi kanë sistemuar trupin e Jan Prengës, shfaqen në garazh të pamaskuar. Në këtë moment siç po e shikoni edhe në video, një nga personat që shfaqet vazhdimisht është Festim Bexhdili, kopshtari i resortit.

Është ky personi që kujdeset për gjithçka. Qoftë duke i sjellë rrobat për ndërrim rrëmbyesve, por duke siguruar më tej edhe mjetet e duhura për zhdukjen e trupit të tij.