25 vjet burg ka dhënë Gjykata e Posaçme për Aleks Pepën, i akuzuar për grup kriminal dhe vjedhje me dhunë.
Ai u dënua për vjedhjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e Aeroportit të Rinasit.
Për këtë ngjarje Pepa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “INTERPOL”-i. Elbasanlliu, cilësohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda si “truri” i kësaj grabitje, të ndodhur para syve të shumë personave, të cilët ishin në pritje për të udhëtuar me avion drejt Italisë.
Pepa dhe dy bashkëpuntorët e tij janë identifikuar nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike, të cilat kanë vërtetuar se në 30 qershor 2016, autorët janë lokalizuar nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.
Ndërkohë informacionet flasin se Aleks Pepa pas kryerjes së grabitjes është larguar nga Shqipëria në drejtim të Rumanisë dhe më tej nuk dihet destinacioni i tij.
Grabitja
Dy personat që çanë rrethimin e aeroportit më 30 qershor 2016 dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe, ishin të armatosur.
Ata kanë pasur dhe një bashkëpunëtor të tretë, i cili i priste jashtë pistës së aeroportit, me një makinë të vjedhur. Ky person, ka pasur rolin e ndihmësit, për largimin e të tyre dhe humbjes së gjurmëve. Gjatë hetimeve, prokurorët kanë zbuluar se tre autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura. Njërën nga makinat e vjedhura e kanë marrë në Pogradec, dy në Elbasan dhe një furgon në Durrës.