Spanjë- Detaje tronditëse mësohen rreth shqiptares 32-vjeçare vrau fëmijën e saj 2-vjeçar dhe ushtroi dhunë mbi binjakun e tij disa ditë më parë në Spanjë.

Mediet spanjolle e kanë identifikuar gruan si Hatixhe Kamxhiu.

Trupi i 2-vjeçarit ishte i mavijosur dhe me shenja dhune.

Në fillim çështja u trajtua si aksident, pasi edhe vetë gruaja gënjeu policinë. Por duke parë lëndimet që ishin në trupin e vogëlushit, dëshmitë e shqiptares nuk përputheshin me provat.

Ajo kishte deklaruar se fëmija ishte rrëzuar nga karrigia dhe si pasojë e plagëve kishte humbur jetën.

Ditën pas krimit, 32-vjeçarja kishte postuar në Facebook një shirit të zi për vdekjen e të voglit të saj, ku miq të shumtë i kishin shprehur ngushëllimet.

Nga aksidenti në vrasje

Nëna e të vegjëlve, Hatixhe Kamxhiu , ka telefonuar në numrin e telefonit të urgjencës më 11 qershor nga Bigastro për të paralajmëruar aksidentin e supozuar që kishte pësuar një nga fëmijët e saj, teksa ishte vetëm me ta në shtëpi.

Policia, përveç trupit të pajetë të 2-vjeçarit, konstatoi se në shtëpi ndodhej edhe binjaku i tij, i cili gjithashti kishte shenja dhune.

Fëmija i mbijetuar u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Alicantes, ku u krye një studim i detajuar i dëmtimeve që ai kishte. Hatixhe nuk kishte precedentë penalë, por më parë kishte humbur kujdestarinë e të miturve për shkak të varësisë nga droga.

Deklaratat e fqinjëve

Të gjithë në Bigastro e kujtojnë si një grua të vetmuar me pak miq.

“Ajo ishte gjithmonë shumë nervoze, duke qortuar fëmijët e saj për gjithçka”, thotë një fqinj, i cili gjithashtu ka fëmijë të vegjël dhe kujton se Hatixhen e shihte në park me binjakët e saj.

Madje, ka dëshmi që tregojnë se vajza e madhe e Hatixhes tregonte se ajo flinte gjithmonë me njërin prej djemve binjakë, pasi ai ishte “i preferuari” i saj.

“Një ditë i thashë të mos i qortojë kështu fëmijët”, shpjegon një nga fqinjët.

“Më tha që natën që të mos bënin zhurmë, i mbështillte fort mes çarçafëve, duke i goditur në trup që të mos lëviznin ”, shpjegon ai.

Po ashtu mediat spanjolle shkruajnë se nëna e binjakëve kishte pasur disa marrëdhënie sentimentale që kur mbërriti në qytet, por askush nuk e dinte se kush ishte babai i fëmijëve.

Tashme Hatixhe Kamxhiu është në duart e drejtësisë dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes së të miturit dhe lëndimin e vëllait të tij binjak.