Historia eshte mjaft e trishte. Rreth 23 vjet më parë, Fazli Hoxha dha jetën si dëshmor në masakrën e Gullbocit dhe pak muaj më pas erdhi në jetë djali i tij që mori emrin e të atit. Por 23 vjet më pas është e trishtë të shohësh se nga dora e shqiptarit vritet pabesisht një student.

Adriatik Hoxha, shkruan në Facebook një mesazh drithërues për këtë ngjarje që ndodhi mbrëmë në Klinë ku familja Hoxhs po hante iftar dhe djali u vra ndërsa 2 vëllezërit e tij u plagosën në atentat të shëmtuar.

“Para 23 viteve Baci Fazli dha jetën për këtë popull dhe këtë atdhe, që gjenerata e ardhshme të jetojnë të lirë dhe pa frikë. Mbas vrasjes së Bacit Fazli, pas disa muajsh u rikthye buzëqeshja në familjen Hoxhaj (lindi një djalë që e pagëzuan me emrin e babait të vrarë në masakrën e Gullbocit).

Por baci Fazli nuk e dha jetën që sot pas 23 viteve t’i vritet djali në pabesi nga dora e shqiptarit. Çdo problem ka një zgjidhje, por jo me vrasje. Mos i gjakos duart sepse do të mallkohesh. Sonte nëna e dikujt vajton, e ti a po ndihesh i qetë? Nesër mund të vajtojë edhe nëna jote andaj STOP VËLLAVRASJEVE.