ITALIA- Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Itali, ku si pasojë e një aksidenti me motor ka humbur jetën një 17-vjeçar shqiptar. Alen Karaboja, lindur në Valcamonica, sipas mediave italiane, ishte në një festë ditëlindjeje dhe rreth orës 23:00 ka dalë për një xhiro me motor me një shok.

Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë parkut Dosso, teksa dyshohet se të rinjtë po bënin zig-zage në rrugë. Mësohet se Alen ka humbur kontrollin e motoçikletës e cila përfundoi duke u përplasur me një mur.

Po ashtu mediat italiane shkruajnë se sot janë vendosur shumë lule në vendin e aksidentit dhe një pankartë me dedikimin “Alen do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona”. Edhe vëllai i tij Enio ka postuar një mesazh prekës në rrjetet sociale dedikuar humbjes së 17-vjeçarit.

“Do të të dua gjithmonë vëllai im i vogël. Ti je gjysma ime tjetër dhe gjithmonë ma ke mbushur zemrën me gëzim. Çdo ditë do të shikoj qiellin dhe do t’ju them përshëndetje siç bënim gjithmonë. Do me mungosh shumë, më shiko dhe më mbro nga lart. Të dua vogëlush, ji i lumtur të lutem”, shkruan ai.