ITALI- Amarildo Meta, 34 vjeç, pronar i një biznesi elektroautosh, Armand Mansaku, 40 vjeç, punëtor dhe Dhimitri Tarantini, 42 vjeç, janë tre shqiptarët e arrestuar në Itali. Si pasojë e operacionit për kapjen e tyre janë sekuestruar 4 kilogramë amfetaminë, 2 kilogramë kokainë dhe 2 kilogramë marijuanë. Policia italiane vlerëson që nëse do të dilte në treg do të sillte fitime deri në 1 milionë euro, raportojnë mediat italiane.
Sipas hetimeve, dyshja Meta-Mansaku furnizonte me drogë tregun e Cagliari-t, duke e shitur drogën tek shqiptari tjetër, 42 vjeçari Tarantini. Shqiptarët përdornin si bazë një banesë e cila ishte në emër të një pensionisti të vdekur prej disa vitesh.
Në shtëpi kishte edhe celularë, bileta avioni, shënime me emra dhe materiale të tjera të përcaktuara si interesante për zhvillimin e hetimeve. Droga e shqiptarëve shitej në zonat ku frekuentohet jeta e natës në Cagliari.