I vodhën me dhunë automjetin, një shtetasi, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët.

Gjatë natës, në vendin e quajtur “Përroi i Xhenjos”, Poliçan, dy shtetas kanë zbritur me dhunë nga mjeti i tij, shtetasin A. B., dhe pasi ia kanë marrë mjetin, janë larguar me shpejtësi.

Shërbimet e Policisë, pasi morën njoftim për rastin, kanë organizuar punën duke ushtruar kontrolle dhe si rezultat kanë bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorëve, të cilët në tentativë për t’iu larguar shërbimeve të Policisë, janë përplasur me murin anësor të rrugës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Poliçan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve V. K., 36 vjeç, banues në Poliçan dhe R. Z., 54 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.