Ka nisur në Gjermani një prej gjyqeve më të përfolura. Në qershor të këtij viti, një shqiptar i Kosovës, i quajtur Rinor Z, qëlloi për vdekje bashkëkombasin e tij, Armin N, teksa po qëndronte në semafor me makinën e tij luksoze, një Porsche.
Ngjarja tronditi qytetin e Hanoverit dhe shkaktoi panik pasi ndodhi në mes të qytetit. Në seancën e parë, Rinori mbante veshur një kapuç, ndërsa nuk foli përpara togave të zeza. Avokati i 33-vjeçarit shqiptar tha se ai veproi për vetëmbrojtje.
Historia nis me një përplasje fizike mes Rinorit dhe Nexhip M, kunatit të Arminit. Gazeta BILD shkruan se Rinori e kishte dhunuar Nexhipin pas një sherri për një shumë të madhe parash. Të dy kontraktorët në fushën e ndërtimit ishin përplasur fizikisht dhe Rinori i kishte thyer katër dhëmbë.
Pas sherrit, Nexhipi bashkë me Arminin kishin hipur në makinën e tyre Porsche dhe e kishin ndjekur nga pas Rinorin. Në momentin që makinat ndaluan në semafor, Nexhipi zbriti nga mjeti dhe nisi të qëllonte me një dërrasë mbi xhamat e makinës Mercedes të Rinorit. Ky i fundit nxori armën dhe qëlloi mbi Arminin. 50-vjeçari arriti të shpëtonte nga plumbat.
Më pas Rinori qëlloi dy herë mbi Arminin. Një plumb rezultoi fatal.
Vetëm pasi dërgoi gruan dhe fëmijët e tij në një vend të sigurt nga frika e hakmarrjes, Rinori u dorëzua në polici.