Thomas Luciani, është 17-vjeçari shqiptar që u vra në një park në Pescara, Itali të dielën pasdite.

I riu i detyrohej 250 euro njërit prej dy të miturve të arrestuar për vrasjen. Ata e kanë goditur 25 herë me thikë shqiptarin, pesëmbëdhjetë goditje të shkaktuara nga njëri, dhjetë nga tjetri. Por sikur të mos mjaftonte kjo dy të arrestuarit e sulmuan shqiptarin edhe kur ai po vdiste në tokë, duke pështyrë mbi të dhe duke i fikur një cigare në fytyrë.

Pas kësaj ata kanë shkuar në plazh ku janë takuar me miqtë e tyre, kanë treguar me krenari vrasjen e shqiptarit dhe janë larë në det. Ka dyshime se vrasja e shqiptarit ka qenë e paramenduar pasi në çantën e shpinës së njërit prej të arrestuarve ka patur një thikë që ai ua ka treguar shokëve dhe rroba të përdorura për ndërrim pas vrasjes.

Një prej djemve që ishte me dy të arrestuarit kur është marrë në pyetje ka deklaruar:

“Unë nuk reagova në asnjë mënyrë. Thomasi po bënte zhurma gati vdekjeje dhe i thanë të mbyllte gojën… Unë u trondita, nuk dija çfarë të bëja, doja t’i ndaloja ata, por nuk e dija se si, ndërsa ata po e bënin, dukej sikur nuk po mendonin më për këtë. Pavarësisht asaj që ndodhi, ne shkuam në breg të detit për të notuar. Aty njëri nga dy vrasësit “hodhi thikën që kishte mbështjellë me një çorape të lyer me gjak, duke e lënë pas shkëmbinjve”.

Thomas Luciani ishte braktisur nga prindërit në moshën 3-vjeçare dhe që atëherë jetonte me gjyshen e tij Olga. Kjo e fundit duke folur për mediat italiane tha se drejtësia do të dalë në dritë herët a vonë.

“Drejtësia do të dalë në dritë herët a vonë. Shpresoj. Nuk mund të vrasësh një djalë ashtu. Ai ishte i vogël, shumë i vogël. Ai ishte një djalë i mirë. Ai kishte sjelljet që kanë të gjithë djemtë e kësaj moshe. Ai nuk ishte narkoman. Ai ishte tre vjeç e gjysmë kur prindërit e braktisën, unë e rrita, isha nëna e tij”.