ITALI- Gjykatësi mbikëqyrës i Donatella Hodo, 27 vjeçares shqiptare që vrau veten duke thithur gaz në burgun Veronese të Montorios më 2 gusht, Vincenzo Semeraro ka publikuar një letër të ndjerë në kujtim të saj.
Sipas mediave vendase, Semeraro në letrën e lexuar në funerin e së resë, tha se edhe pse ka kaluar një javë nga ngjarja tragjike ai ende e pyet veten se ku gaboi që Hodo të arrinte të ndërmerrte një veprim të tillë.
“U bë një javë që kur Donatella kreu gjestin e saj tragjik që unë i bëj vetes një mijë pyetje. Ku gabova, në çfarë? Sa herë që një person në burg merr jetën e tij, kjo do të thotë se i gjithë sistemi ka dështuar. Në rastin e Donatellës, unë isha pjesë e sistemit pasi e kisha ndjekur rastin e saj për gjashtë vjet.”-tha Semeraro.
Gruaja kishte probleme me varësinë. Ajo ishte në burg për disa vjedhje në farmaci. Ajo priste që t’i përgatitej një masë alternative ndaj burgut.
Semeraro tha se e kishte njohur Donatellën prej disa kohësh, pasi ajo kishte patur shpesh probleme me drejtësinë për shkak të varësisë së saj ndaj lëndëve narkotike dhe vjedhjeve në disa farmaci.
“Herën e fundit që shkova ta vizitoja në burg, qershorin e kaluar, a mund t’i kisha thënë edhe disa fjalë? Pse, pavarësisht se e njihja që në moshën 21-vjeçare, nuk e kuptova që sëmundja ishte bërë kaq e thellë për të?”.-tha ai.
Dhe ai argumenton se gjyqtari në këto raste duhet të sillet si psikolog pasi kur je gjykatës i ekzekutimit dhe menaxhon ngjarjet e ndryshme të burgut dhe paraburgimit, nuk ke të bësh vetëm me një të burgosur, por mbi të gjitha me një person. Burra, gra me histori të ndryshme. Ata nuk duhet të trajtohen si numra, si copa dhëmbësh, por si individë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ata janë njerëz, sigurisht të burgosur në qeli, por gjithsesi njerëz.
27-vjeçarja shqiptare i dha fund jetën më 2 gusht pasi thithi gazin nga soba e burgut ku po vuante dënimin për vjedhje të disa farmacive. Hodo kishte vite që ishte e varur ndaj lëndëve narkotike, gjë që shpesh e shtynte dhe në vjedhje, si dhe kishte hyrë dhe dalë disa herë nga burgu.




