E rëndë/ Organizatat ngrenë alarmin: Greqia po i lë emigrantët pa ushqim, gratë shtatzëna dhe fëmijët po vuajnë nga uria

Organizatat për të drejtat e njeriut akuzuan autoritetet greke për mungesë të furnizimit me ushqime të refugjatëve dhe azilkërkuesve, si dhe për politika të ashpra ndaj tyre.

“Megjithëse praktikat ndryshojnë nga rajoni në rajon, vlerësohet afërsisht se 60 për qind e njerëzve që jetojnë në kampe nuk marrin ushqim“, thanë njëzet e gjashtë organizatat, përfshirë Këshillin Grek të Refugjatëve dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.

“Mes atyre që provojnë urinë, 25 për qind janë gra (përfshirë gratë shtatzëna), 40 për qind janë fëmijë, pacientë kronikë dhe pacientë me kushte të veçanta mjekësore dhe ushqyese. Në disa vende, ushqimi nuk u sigurohet edhe atyre që janë vënë në karantinë për shkak të COVID-19 “, thuhet në deklaratë.

Duke iu përgjigjur pretendimeve, Ministria e Emigracionit e Greqisë tha se “të gjithë azilkërkuesit në kampet në ishuj dhe kontinent kanë të drejtë për ushqim” dhe duhet te furnizohen me tre vakte në ditë.

Por, autoritetet greke thanë se furnizimi nuk përfshin refugjatët që “duhet të largohen” nga kampet, ndërsa emigrantët, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar “janë të detyruar të largohen nga vendi”.

Numri i saktë i refugjatëve dhe azilkërkuesve aktualisht në Greqi është i paqartë, por sipas disa vlerësimeve të fundit ai mund të shkojë në rreth 96 mijë.