Motra e Ornelës, 28-vjeçares që u shua bashkë me aktorin Florind Belliu në Amerikë ka thyer heshtjen dy ditë pas ngjarjes së rëndë. Në një postim në rrjetet sociale, Migena fajëson Florindin për vrasjen e të motrës që shënoi një tragjedi në familjen shqiptare në SHBA. Ajo shkruan se Belliu vuante nga çrregullime e problem të shëndetit mendor dhe ishte shtruar në klinikë psikiatrike në New York. Ajo shton se Ornela ishte një njeri i dhimbsur dhe se pavarësisht gjithçkaje i kishte qëndruar pranë, i dërgonte ushqim e kujdesej për të, pa e ditur që një ditë do t’i merrte jetën asaj dhe fëmijës që priste të vinte në jetë.

Postimi i plotë:

E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa i shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork. Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës sonë, por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar atë që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale…i dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën ‘engjëll’, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende probleme…

Ngjarja e rëndë ndodhi dy netë më parë në New York, teksa festonin ditëlindjen e bashkëshortes së Florindi, Ornela, e cila mbushte 28 vjeçe. Fillimisht debati mësohet se ka nisur mes të resë dhe nënës së 35-vjeçarit, por me ndërhyrjen e aktorit, situata është përkeqësuar. Më pas, Belliu e ka shtyrë të shoqen duke e hedhur nga ballkoni i apartamentit që ndodhej në katin e gjashtë në ‘The Bronx’ të New Yorkut. Kur ka parë pasojat e veprimit të tij, 35-vjeçari ka vendosur të hidhej pas të shoqes. Të dy janë gjetur të vdekur dhe pamjet rrëqethëse ku nëna e aktorit shihet teksa qan në vendngjarje kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare. Ngjarja është ende nën hetim.