Ekstradohet nga Greqia për në Shqipëri një 44-vjeçar shqiptar i dënuar nga Gjykata e Fierit për pastrim parash.

Në vitin 2014, Gjykata e Fierit e dënoi me 4 vite burg, pasi nga hetimet paraprake ka rezultuar se 44-vjeçari Afrim Kocaqi, disa vite më parë ka kryer një derdhje të shumës prej 3.100.000 lekë në një bankë në Tiranë.

Ai nuk ka dhënë asnjë përshkrim justifikues për këtë shumë, çka i ka bërë autoritetet të dyshojnë. Pas procedimit penal, atij iu vendos sekuestro preventive mbi shumat monetare.

Shumë e sekuestruar në momentin e fillimit të procedimit penal, ishte 2.500.000 lekë. Sipas Policisë së Shtetit, Afrim Kocaqi kishte bashkëpunuar me tre persona të tjerë duke vjedhur bankën Egjira në Greqi në vitin 2011.

Të tre personat kanë qenë të armatosur por sërish nuk arritën t’i shpëtojnë policisë. Pasi përfundoi dënimin në Greqi, Kocaqi është ekstraduar në vendin tonë për të shlyer 4 vite burgim të dhënë nga Gjykata e Fierit.