Një 31-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi nuk u ka ndaluar dy patrullave të policisë, dhe ka përplasur një efektiv, i cili është dërguar me urgjencë në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Bledi Larti nuk ndaloi në dy postoblloqe në aksin rrugor Prrenjas Pogradec, ndërkohë që pas kësaj ai është vënë në prangat e bluve.
Ai akuzohet për “vrasja në rrethana të tjera cilësuese ” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi i policisë:
Nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar aksidentoi punonjësin e Policisë, vihet në pranga 31-vjeçari.
Rreth orës 21:45, Salla Operative e Policisë Librazhd është njoftuar nga Salla e Komisariatit të Policisë Pogradec, se mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Bledi Larti, nuk i ishte bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Pogradec për të ndaluar, por kishte vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Librazhdit.
Me marrjen e njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pikë kontrolli në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec. Drejtuesi i mjetit tip “Audi”, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, përsëri nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Patrullës së Përgjithshme, shtetasin S. H., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në ndjekje të automjetit janë vënë shërbimet e tjera të Policisë dhe në qytetin e Librazhdit është bërë i mundur ndalimi i tij.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasi Bledi Larti, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.