Dy astronautët e NASA-s që kanë ngecur në hapësirë prej më shumë se dy muajsh, do të mund të rikthehen sërish në Tokë në shkurt të vitit 2025, përmes SpaceX të Elon Musk.

NASA bëri me dije se anija kozmike “Boeing Starliner” me të cilën kanë udhëtuar në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) Sunita Williams dhe Barry Wilmore, do të rikthehej në Tokë pa “ekuipazh”.

Dy astronautët menduan se misioni i tyre në hapësirë do të zgjaste thjesht 8 ditë, por tanimë do të kalojnë me muaj të tërë në hapësirë.

“Boeing Starliner” pësoi probleme gjatë rrugëtimit për në Stacionin Hapësinor, duke përfshirë rrjedhjen e heliumit, çka përbën rrezik për jetën e dy astronautëve. Boeing dhe SpaceX morën kontrata miliarda dollarëshe nga NASA për të kryer disa misione dhe fluturime në hapësirë për astronautët e saj.

Boeing u shpërblye me 4.2 miliardë dollarë, ndërsa SpaceX, e themeluar nga Elon Musk, 2.6 miliardë dollarë.

Deri më tani, SpaceX ka bërë 9 fluturime me ekuipazh në hapësirë, në bashkëpunim me NASA-n, si dhe disa misione të tjera, por për Boeing, ky ishte misioni i parë me ekuipazh. Inxhinierët e Boeing dhe NASA-s kanë kaluar me muaj të tërë për të kuptuar dhe përmirësuar çështjet teknike të anijes “Starliner”, duke kryer teste dhe mbledhur informacione si në hapësirë, ashtu edhe në Tokë. Aktualisht, shpresa e tyre është të gjejnë gjenezën e problemit dhe të kthejnë sa më shpejt në shtëpi astronautët.

Bill Nelson, administratori i NASA-s, u shpreh në një konferencë për shtyp se Boeing dhe NASA kanë punuar ngushtësisht për të bërë përmirësime në anijen kozmike.

“Është marrë vendimi për të zgjatur qëndrimin e astronautëve në ISS deri në shkurt të vitit 2025 dhe ata do të kthehen me anijen kozmike “Crew Dragon”, u shpreh ai.

Kjo kohë shtesë e lejon SpaceX të nisë anijen në fund të shtatorit. Anija kozmike supozohej të kishte fillimisht 4 anëtarë në bord, por do të ketë 2. Kjo i krijon hapësirë dy astronautëve në hapësirë që t’i bashkohen bordit. NASA është shprehur se të dy astronautët kanë përfunduar më parë qëndrime afatgjata në hapësirë dhe i dinë rreziqet e fluturimeve testuese, duke përfshirë edhe qëndrimin më të gjatë në stacion. Më tej, u tha se të dy astronautët i mbështesin plotësisht planet e rikthimit të tyre dhe do të kalojnë muajt e ardhshëm duke bërë punë shkencore, ndoshta edhe duke bërë “shëtitje” në hapësirë.

Wilmore, 61 vjeç dhe Williams, 58 vjeç, u nisën në qershor me anijen kozmike “Boeing Starliner” drejt hapësirës, por anija hasi probleme. Ata mbërritën të sigurt në Stacionin Hapësinor, por duhet të kthehen në shtëpi në një mënyrë që nuk u rrezikon jetën. NASA e cilësoi si të pasigurt anijen kozmike dhe përmes një deklarate, zyrtarët e NASA-s bënë me dije se do të shqyrtonin mundësitë e rikthimit të tyre në Tokë.