ITALI- Pas dy ditësh kërkim, karabinierët gjetën dje trupin e pajetë të Fatmir Arës, një sipërmarrës 43-vjeçar me origjinë shqiptare me banim në Mathi, në provincën e Torinos. Burri, pronar i kompanisë “Nuova Edile” me qendër në Strada Cirié 10, ishte zhdukur që nga 2 shtatori i kaluar, kur familjarët iu drejtuan Policisë për ndihmë. Kërkimet nisën menjëherë në të gjithë zonën, deri në zbulimin e mëngjesit të së dielës.
Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet në tokë, pranë makinës së tij, buzë një rruge të vogël jo shumë larg kompanisë, të cilën e kishte në pronësi të tij. Hipoteza e parë e hedhur nga hetuesit është ajo e vrasjes, pasi në trup iu gjetën 3 shenja plumbash. Vetëm autopsia e kufomës së biznesmenit do të mund të konstatojë shkakun e vdekjes.
Denoncimi i zhdukjes së tij u bë më 2 shtator nga gruaja e tij, e cila dha alarmin pasi nuk u kthye në shtëpi. Sipas të dhënave të publikuara ditën e djeshme u bë me dije se Fatmir Ara në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia torineze për shkak se gruaja e kishte denoncuar për dhunë në familje.
Madje, sipas të dhënave të mediave vendase ajo e kishte denoncuar jo vetëm për dhunë, por edhe për përfshirje në punë të kundërligjshme, që sipas Policisë kishte të bënte me mbajtjen e armëve të zjarrit. Fatmir Ara ishte arrestuar e bashkë me të asokohe u arrestua edhe një efektiv i Policisë, i cili doli i përfshirë në ndërhyrjen për të shmangur arrestimin e mikut të tij nga Shqipëria. Raimondo Marrocu, karabinier në kazermën e Corio kishte bërë disa telefonata me qëllim që të zbardhte detaje nga denoncimet dhe hetimet e nisura ndaj shqiptarit, por pas asnjë rezultat. Për këtë shkelje, Marrocu u dënua me 2 vite e 2 muaj burg.
Nuk dihet se sa kohë burg ka bërë viktima e ekzekutimit mafioz në Torino, por në llogarinë e tij në rrjetet sociale ai duke se ka qenë i lirë që në vitin 2020, kohë kur edhe ka kryer ceremoninë e pagëzimit të djalit në Kishë. Policia italiane është mjaft e rezervuar në lidhje me të dhënat mbi ekzekutimin mafioz të Fatmir Arës, 43 vjeç, nga Shkodra, baba i dy fëmijëve.
Ndërkohë që disa vite më parë, më konkretisht në 2018, 43-vjeçari është arrestuar dhe i dënuar me 3 vite burg, pasi e shoqja e kishte denoncuar për dhunë në familje. Po ashtu, gruaja e kishte denoncuar edhe për përfshirje në punë të paligjshme./caffeinamagazine.it