Korçë– Bora dhe ngricat e dy ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të rënda në pemishtet e Dvoranit, një nga zonat më të rëndësishme për prodhimin e frutave në juglindje të vendit. Temperaturat kanë zbritur deri në -7°C, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme në sipërfaqet me mollë, qershi, kumbulla dhe dardha.
Fermerët deklarojnë se dëmet janë 100% dhe se këtë vit nuk do të mund të sigurojnë asnjë prodhim nga pemishtet. Përpjekjet e tyre për të zbutur efektet e ngricave duke ndezur zjarre nëpër parcela, kanë rezultuar të pamjaftueshme përballë kushteve ekstreme të motit.
“E kemi të pamundur të shpëtojmë prodhimin. Gjethet janë djegur, frutat janë tharë. Këtë vit nuk do marrim asgjë,” – shprehen fermerët përmes një sinkroni.
Përveç dëmit nga mungesa e prodhimit, fermerët përballen edhe me kosto të larta nga plehrat kimikë dhe inputet bujqësore, çka e përkeqëson më tej situatën ekonomike të tyre.
Njësia administrative Dvoran ka një sipërfaqe totale prej 480 hektarësh me pemishte, nga të cilat 250 ha me mollë, 125 ha me qershi dhe rreth 100 ha me fruta të tjera. Dëmet masive rrezikojnë të kenë ndikim edhe në tregun rajonal të frutave.