Flakët e zjarrit shkrumbojnë banesat e dy vëllezërve, Xhemal dhe Ibrahim Isaku në Qerret të Labinotit Mal.

Dy familjet, me 9 anëtarë, tashmë ndodhen në qiell të hapur.

Zjarri ka shkrumbuar gjithçka, por për fat pa dëmtuar asnjë prej anëtarëve të këtyre familjeve.

Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, por për shkak të distancës, zjarri ka shkrumbuar banesat dhe familjarët nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë, madje as drithin me të cilin ushqehen.
Gjithashtu pranë tyre ka qenë edhe deputeti i zonës Qani Xhafa.

Me lot ndër sy, Xhemal Isaku dhe bashkëshortja e tij, apelojnë për ndihmë. Ata tregojnë se nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë dhe se tani janë vetëm me teshat e trupit.

Gjithashtu i moshuari Imer Isaku, baba i dy djemve që pësuan fatkeqësinë, është mjaft i dëshpëruar nga ajo që ka ndodhur. Edhe ai prek me fjalët dhe apelon për ndihmë.

Deputeti i zonës, Qani Xhafa, shprehet se janë dy familje prej 9 antarësh kanë mbetur në qiell të hapur.

Ai i ka bërë thirrje bashkisë të ngrejë komision për vlerësimin e dëmit dhe kompensimin e familjeve. Gjithashtu edhe emergjencave civile që të sistemojnë në dy cadra familjet që ndodhen pa një strehë tashmë deri në ndërtimin e banesave të reja.

Bashkia nga ana e saj ka bërë të ditur se për rastin në fjalë ka ngritur një grup pune për të vlerësuar dëmin dhe për të ndihmuar familjeve konform ligjit.