Roula Pispirigou, 33-vjeçares që dyshohet se ka vrarë tre vajzat e mitura të saj është shprehur e ‘prekur’ nga kërkesa e babait të fëmijëve të saj për testin e ADN-së.

Sipas Protothemës, deklarata vjen nga avokati i saj, Othonas Papadopoulos i cili pasi e vizitoi atë në paraburgim u shpreh se ajo është e acaruar nga mënyra se si po mbulohet në media vdekja e vajzave të saj dhe e prekur nga kërkesa e bashkëshortit Manos Daskalakis për të bërë testin e atësisë mbi dy vajzat e vogla Malena dhe Iris.

Avokati i Roula Pispirigou, tha se edhe klientja e tij nuk e fsheh acarimin e saj për çështjen e atësisë, pasi mendon se kjo ndikon te gjendja e saj dhe te kujtimi i fëmijëve të tyre.Papadopoulos tha se 33-vjeçarja pranon ekzaminimin, por më vonë do të padisë për shpifje bashkëshortin e saj.

Pispirigou aktualisht gjendet në paraburgim nën akuzën e vrasjes së vajzës së saj 9-vjeçare Georgina ndërsa për Malenën dhe Irisin, ai tha se procesi është në fazë pritjeje, ku nëna pretendon se gërvishtjet dhe skuqjet në fytyrën e Irisit janë si pasojë e një dermatiti që ajo kishte pësuar dhe për të cilin po merrte trajtim.