TIRANË – Fqinja ka treguar detaje rrëqethëse nga ngjarja e rëndë që ndodhi pas mesnatës së kaluar në Tiranë. Gruaja shprehet për mediat se e moshuara që ndodhej në banesë ka dalë të kërkojë ndihmë nga fqinjët, por kishte harruar që kishte nipin brenda. Ajo thotë se e moshuara që quhet Janulla kishte përmendur qenin fillimisht e më pas ishte kujtuar për nipin.

“20-30 vjet kanë që rrinë këtu, janë njerëz të mirë dhe të urtë. Jetonte me gocën që kishte fëmijën 6-muajsh, gocën e kishte të divorcuar. Kushte siç jetojnë gjithë shqiptarët, në ato kushte ishin. Të gjithë ne i dhamë ndihmën e parë. Qante çuni i vogël me ulërima, bërtiste foshnja, ulëriste. Hyri goca brenda, por ishte e pamundur. Janulla (gjyshja) tha kam qenin, e harroi djalin. Pastaj tha ua, kam foshnjën. Bërtiti. Nëna e fëmijës kishte dalë të pinte kafe. Kaq ishte gjithë skena. Tym i madh, kur dolëm ne çfarë të shikonim. Vajza mori direkt zjarrfikësen. Zjarrfikësja erdhi shpejt, por kur e kanë nxjerrë policia foshnjën, po qante. E mori nipi im e futi në ambulancë, fëmija ishte gjallë. I vunë aparatet, por kishte vdekur në spital,”- tregon fqinja.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e kaluar. E moshuara ka qenë duke gatuar në bodrum në momentin që bombola ka shpërthyer në flakë. Zjarri ka filluar të përhapet dhe e moshuara ka dalë të kërkojë ndihmë duke lënë foshnjen brenda. Fqinjët kanë njotuar zjarrfikësen që ka ardhur në vendin e ngjarjes. Ata arritën që ta nxirrnin beben gjallë, por ndërroi jetë në spital. Gjyshja dhe dy zjarrfikës gjithashtu kanë përfunduar në spital gjithashtu.