TIRANË- Dy rusët, Mikhail Zorin e Zvetlana Timofeeva si dhe ukrainasi Fedis Alpatos që sulmuan uzinën e Gramshit kanë dalë sot para Gjyaktës së Apelit për të ndryshuar masat e sigurisë. Të tre, kanë apeluar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, duke kërkuar kështu një masë më të lehtë. Ukrainasi Fedir Alpatos ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Rusi, por ka jetuar në Kinë.

“Jam në gjendje të rënduar emocionale, nuk kam qenë asnjëherë në Rusi, kam jetuar në Kinë,”- mësohet të ketë thënë ai.

Nga ana tjetër, avokati i tij, Saimir Visha ka kërkuar lehtësim të masës së sigurisë me argumentin se ukrainasi duhet të vijojë doktoraturën, e po ashtu ka kërkuar një përkthyer për të.

“Mendoj që duhet të respektohet gjuha amtare që sot po dhunohet me gjuhën ruse duke mos pasur logjikë, pasi sot personi në fjalë ka një vëlla që ka një krah të prerë prej luftës ruse dhe ne i kërkojmë të flasë dhe kuptojë gjuhën ruse. Sa i përket arrestit dhe regjistrimit të çështjes, klienti im është arrestuar për dy vepra, cenimi dhe sigurimi i te dhënave. Ne nuk kemi asnjë prove ne dosje që është futur në repartin ushtarak dhe nuk kanë lidhje fare. Cila është prova, cili është agjenti? Një student, një bloger? Dy ushtaraket flasin vetëm për një person, përse marrim tre veta, këta student nga Ukraina vendi i të cilit është ne lufte, të vuajë dënim me burg. Është student në doktoraturë, vijnë nga Durrësi dhe ikën në Gramsh, për turizëm dhe papritur e gjejnë veten në burg. Ky është viktimë, po e lini dhe pa shkollë, në Poloni Varshave, sa ka mbaruar masterin dhe është ne doktoraturë. Familja e tij ka dalë në luftë në Ukrainë. Fakti që ka shkuar në Gramsh nuk përbën vepër penale. Duhet të gjeni provat pastaj të shkoni tek kufizimi i lirisë. Flagranca është ndryshe nga çfarë është shkruar në dokument. Ai as ka qenë në repartin ushtarak. Ai nuk është reparti ushtarak i mirëfilltë pasi është i deklasifikuar. Të paktën mos t’i ndërpresim doktoraturën online se mirë lufta që i ka zënë, por të paktën mos të humbasë këtë investim që ka bërë. Në këto kushte kërkoj ta ndryshoni vendimin,”- tha ai.

Ndërkohë Gjykata e Apelit pas përfundimit të seancës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit për masën e sigurisë “arrest me burg” për dy usët, Mikhail Zorin, 24-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeç dhe ukrainasi me pasaportë ruse Fiodor Mihailovi 25 vjeç.

Pas përfundimit të seancës avokati foli sërish për mediat ku u shpreh se ky është një vendim i padrejtë dhe jo i mbështetur në fakte. Sipas Vishës ata janë blogorë dhe Prokuroria nuk ka anjë fakt kriminal ndaj tyre. Ai u shpreh se shumë shpejt do të jetë vetë Prokuroria e Elbasanit ajo që do ta pushojë këtë çështje.

“Ishte një debat shumë i madh ndërmjet mbrojtjes dhe gjyqtarit. Përpara një vendimi ku nuk ka fakt kriminal. Te tre duhet të ishin të lirë sot, asnjë nga vendet e botës nuk është marrë me studentë që janë blogerë. Do i drejtohemi Gjykatës së lartë me rekurs, e vetmja e drejtë që na u dha sot pas një maratone 2 orë e gjysmë. Prokuroria ka ndryshuar qëndrim, duke i konsideruar të pafajshëm përderisa nuk ka një vendim të formës së prerë, askush nuk mund të thotë për spiunazh. Mendoj se do të jetë prokuroria e Elbasanit që do ta pushojë këtë çështje herët ose vonë. Prova nuk ka për fakte kriminale”, u shpreh avokati Vishaj.

Dy rusët, Mikhail Zorin, 24-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeç dhe ukrainasi me pasaportë ruse Fiodor Mihailoviç, 25 vjeç erdhën në territorin e Shqipërisë nga pika të ndryshme kufitare. Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe hyri në vendin tonë nga Rinasi. Ukrainasi, Fjodor Mihajlov ka hyrë në vendin tonë nga Porti i Durrësit me makinën ‘Chevrolet. 24-vjeçari Mikhail Zorin, ka hyrë në vendin tonë nga Murriqani, vetëm me një biçikletë.