Fundjava pritet të sjellë një kthesë të papritur të motit në vend, me reshje shiu dhe episode breshëri, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore.
Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik, Eneida Doçi, bëri të ditur se dita e shtunë do të karakterizohet nga mot i paqëndrueshëm dhe vranësira në të gjithë territorin për pjesën më të madhe të ditës.
Sipas saj, reshjet e shiut pritet të nisin që në orët e para të mëngjesit dhe të vijojnë gjatë ditës me intensitet të ulët dhe ndërprerje të herëpashershme. Në disa zona parashikohet edhe breshër, veçanërisht në relievet kodrinore dhe malore.
Meteorologët parashikojnë që reshjet të dobësohen gradualisht gjatë pasdites, ndërsa në mbrëmje intensiteti i tyre do të bjerë ndjeshëm.
Ndërkohë, dita e dielë pritet të sjellë përmirësim të pjesshëm të kushteve atmosferike, me kthjellime dhe reshje të izoluara shiu në disa zona të vendit.
Sa i përket temperaturave, ato do të pësojnë një rënie të lehtë gjatë së shtunës, ku maksimalet nuk pritet të kalojnë 23 gradë Celsius në zonat e ulëta. Edhe të dielën temperaturat do të luhaten nga 7 deri në 23 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe në fillim të javës së ardhshme. Era pritet të fryjë me shpejtësi mesatare deri në 8 metra për sekondë, ndërsa në detet Adriatik dhe Jon valëzimi do të arrijë në 3-4 ballë.





