LAÇ – Vrasja e Xhelal Reçit në mes të Laçit ishte një ngjarje e paralajmëruar. Një vit më parë djali i tij Besnik Reçi i shpëtoi atentatit.
Gazetari Artan Hoxha u shpreh se për grupin e hetimit është e vështirë zbardhja e kësaj ngjarje, për shkak edhe të frymës që kanë banorët në këtë zonë, të cilët nuk bashkëpunojnë me policinë.
Gazetari shprehet gjithashtu se një atentat i tillë ka kosto të lartë, që do të thotë se pas fshihet një i fuqishëm.
“Zona e Kurbinit ka një mënyrë krejt tjetër. Nuk janë bashkëpunues me policinë, përpiqen ti zgjidhin vetë, edhe kur dikush kapet nuk tregon. E kuptoj që edhe dëshmitarët aty e kanë shumë të vështirë. Nuk janë të prirur për të dhënë informacion autoriteteve, nuk e bën. Ky është rreziku i kësaj historie sepse çon në zinxhir vrasjesh.
Viktima ka qenë edhe në moshë vitale, merrej me bizneset. Familja nuk ka pasur probleme financiare, kanë jetuar mirë, prandaj ka lënë punën në polici ai. ky është një element që dëshmon se ngjarja nuk vjen për motive materiale. Kush fshihet? Të realizosh këtë lloj atentati ka një kosto. Nga kostoja shkojmë te kush mund të realizojë. Një që ka një problem të thjesht nuk harxhon aq shumë lekë. Ka një kosto për autorët. Këtë lloj atentati nuk e bën dot çdo njeri. Dikush i fuqishëm, që ia mban xhepi, që është i motivuar, ata vrasësit vjet që e ndoqën 20 km, ndryshe do të kishim viktimë që vjet.
Këto të dhëna tregova që janë njerëz të fuqishëm, që përballojnë këtë kosto atentati, që janë të aftë të kryejnë një atentat të tillë në mes të Laçit. Problemin e policisë duket se nuk e kanë fare. Ata kanë vepruar sikur nuk ekziston fare policia. Kjo është pjesë e hetimit. Janë të fuqishëm. Kush janë? Nuk mund ta bësh këtë gjë me emra.
Është dikush që e njeh mirë këtë fushë, ia mban xhepi, i ka aftësitë organizative dhe që të zhduket pa lënë gjurmë. Kjo është një ngjarje shumë e vështirë, do të ishte mirë të parandalohej vitin e kaluar, nuk u parandalua dhe jemi sot në këtë situatë. Vështirësia është edhe për shkak të frymës që kanë banorët aty, nuk bashkëpunojnë me policinë sepse nuk kanë besim,” u shpreh gazetari në ABC News.