Rrethprerja apo të bërit synet është një fenomen mjaft i përhapur në vendin tonë. Kryesisht personat që i përkasin besimit islam janë ata të cilët e praktikojnë më së shumti këtë. Por sigurisht që edhe ata persona që kanë probleme shëndetësore e bëjnë këtë gjë me udhëzimin e mjekut.

Por këtë praktikë në Shqipëri nuk e realizon vetëm mjeku kirurg, por kushdo. Kjo shkakton probleme të cilat mund të jenë shumë të rrezikshme. Kjo u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në studio ishte e ftuar gazetarja e njohur, Zhaklin Lekatari.

E pyetur nga gazetarja e njohur, Erjona Rusi, nëse e pyesin të rinjtë rreth rrethprerjes, Lekatari u shpreh:

“Po, më pyesin edhe në blogun tim apo në rrjetet sociale ku jam aktive. Në përgjithësi janë djem të moshave të ndryshme. Më pyesin edhe prindërit, nënat që janë më afër fëmijëve.

Edhe djemtë dhe burrat që kanë turp të shkojnë te mjeku apo të pyesin të afërmit. Mendojnë se kanë nevojë për këtë procedurë që jeta e tyre seksuale të vijojë në normalitet”.

Sipas gazetares së njohur, meshkujt në Shqipëri kanë frikë dhe ka informacione të deformuara rreth kësaj teme. Ajo shtoi se ka ende tabu.

“Një nga ato pikëpyetjet më të mëdha që mendoj se është një thashethem korridori, është që nëse e bën në moshë të madhe ke probleme në intimitet”.