Kandidati që do të votojnë socialistët nesër në Kuvend është Bajram Begaj. Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Ai doli para mediave me letër.

“I përkasin një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në Partinë Socialiste por që rrezaton atë normalitet, qytetari dhe mirësi, për të cilën kanë nevojë qytetarët. Kanë qenë 26 kandidatura që janë shoshitur në një numër të caktuar xhirosh diskutimesh për të arritur në përfundimin se do të mbështesim Bajram Begën,”-tha Rama në fjalën e tij.

Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Aktualisht Gjeneral Major Begaj mban postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj. Po ashtu, Begaj, është i martuar dhe ka dy djem.