• Hakim Xhezo, 34 vjeç, vëllai i Eduart Xhezos që vrau biznesmenin Arben Beqiraj në vitin 2019 është ekzekutuar sot me breshëri plumbash në Vlorë. Bashkë me 34-vjeçarin mbeti i vrarë edhe Shpati (G) Lena, i përfshirë gjithashtu në vrasjen e Beqirajt, të njohur si ‘Arbeni i Çeçesë’. • Ngjarja e rëndë ndodhi në mbikalimin e Panajasë në aksin Fier-Vlorë në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm. Ndryshe nga zakonisht, Lena e Xhezo nuk morën mjet të blinduar por po udhëtonin në një mjet të thjeshtë të llojit “Mercedes Benz” tip ‘B Class’ me targa AB 036ET. • Në momentin që të rinjtë hipën në mbikalimin e Panajasë, atentatorët që deri më tani dyshohet të ketë qenë një skuadër prej tre personash, nisën t’i qëllonin me breshëri. Të hipur në një mjet “BMW” me targa italiane, autorët nisën të qëllonin nga pas mjetin e Lenës e Xhezos. Për 200 metra ata qëlluan me breshëri duke zbrazur të paktën 60 plumba kallashnikovi. Fillimisht i qëlluan nga mbrapa, më pas u dolën paralel dhe në fund goditën xhamin e parmë të makinës që siç duket ishte fatale për jetën e dy të rinjve. • Si pasojë e breshërisë së plumbave, Xhezo e Lena humbën kontrollin e mjetit dhe përfunduan në kanal. Ata ndërruan jetë në vend, ndërsa trupat e tyre u nxorrën nga mjeti i mbuluar në gjak pak momente më vonë. • Mjeti i autorëve rezulton të jetë vjedhur në Durrës. Ai u gjet i djegur në fshatin Frakull vetëm pak minuta pas krimit të rëndë. • Pistat ku po heton grupi hetimor janë dy, vrasja e biznesmenit Arben Beqiraj, ngjarje e ndodhur në vitin 2019 dhe pazaret e drogës. Deri më tani janë shoqëruar tetë persona në polici, të dyshuar si vrasës me pagesë e njerëz me precedente penalë.