Gjykata e Ferizajt ka lënë arrest shtëpie shtetasen me iniciale E.H. e cila goditi me thikë të dashurin e saj pak ditë më parë.

Në seancën gjyqësore, prokurori i çështjes tha se më 5 nëntor, e pandehura kishte marrë një thikë nga shtëpia dhe kishte shkuar të takojë të dashurin e saj, shtetasin me iniciale P.A.

Pas një mosmarrëveshje, që sipas autoriteteve kosovare kishte motive xhelozie, e pandehura e ka qëlluar të dashurin e saj një herë në pjesën e barkut.

Ky i fundit më pas u dërgua në spitalin e Ferizajt ku mori ndihmë mjekësore teksa aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndaj të pandehurës rëndon akuza e “vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”.